Biografia

Korçë, 1930

Dhimitër S. Shuteriqi (1915-2003)

Poeti, prozatori, studiuesi dhe publicisti Dhimitër S. Shuteriqi, ka lindur më 16 korrik 1915 në shtëpinë e vjetër stërgjyshore, në lagjen e njohur “Kala”, në qytetin e Elbasanit. Ai i përket brezit të Shuteriqëve të njohur në Elbasan, së paku që prej shekullit XVIII.

Që prej fëminisë Shuteriqi u ushqye me frymëzime atdhetare e kulturore, që vinin nga i afërmi i tij, rilindasi i madh Kostandin Kristoforidhi, përmes librave e dorëshkrimeve që trashëgonte familja dhe bisedave të vazhdueshme për gjithë sa Kristoforidhi përfaqësonte si “babai i shqipes”.

Simoni, i ati i Dhimitrit, bëri emër midis patriotëve të shquar që më 1908, si delagat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit, i cili aprovoi alfabetin e gjuhës shqipe. Bashkë me patriotë të tjerë ai ishte ndër themeluesit e klubeve patriotike që vepronin për përhapjen e gjuhës amtare në vitet e errëta të pushtimit osman. Më 1909 Simoni ishte sekretar i komisionit të Elbasanit, që vendosi hapjen e të parës shkollë të mesme në Shqipëri, “Normales”. Ndër pedagogët e parë të kësaj shkolle, ai u shqua edhe si autor i studimeve gjuhësore të botuara në organet e shtypit të kohës. Simon Shuteriqi mban titullin “Mësues i Popullit”.

Familja e Dhimitër S. Shuteriqit është lidhur me lëvizjet e rëndësishme kombëtare të shek. XIX-XX, me Rilindjen Kombëtare përmes Kristoforidhit, me lëvizjen demokratike të viteve ’20 përmes Simonit, dhe me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare përmes Dhimitrit.

Studimet parauniversitare Shuteriqi i kreu në Liceun Francez të Korçës, në vitet 1927-1936. Kjo ishte një periudhë vendimtare në afrimin e tij me letërsinë dhe jetën politike-shoqërore të kohës, duke përcaktuar kështu edhe fizionominë e tij si njeri i artit, kulturës dhe progresit shoqëror në Shqipërinë e prapambetur dhe gjysmëfeudale të viteve 1920-30. Kjo ishte gjithashtu edhe periudha e fillimeve të tij letrare, kryesisht të krijimeve poetike të botuara në gazetat e revistat e kohës, më pas në vëllimet e tij të para, Kangët e rinisë së parë (1935) dhe Kangë? (1936), të cilat u cilësuan nga kritika e kohës si “manifestim i një kënge të re”.

Studimet e larta Shuteriqi i kreu Francë, në Universitetin e Grenoble-it për filozofi, dhe në Universitetin e Lyon-it për drejtësi, në vitet 1936-1942. Këto studime e ndihmuan thellësisht në njohjen e doktrinave filozofike dhe juridike që nga antikiteti në kohët moderne, ndërsa mjedisi intelektual dhe kulturor francez që ai e ndoqi me shumë interes, e zhvilluan cilësisht dhe e pasuruan me dije bashkëkohore për t’u thelluar intelektualisht dhe profesionalisht në fushat e artit.

Dhimitër Shuteriqi mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u përfshirë në strukturat e saj si: komisar i Batalionit Qukës-Bërzeshtë, anëtar i shtabit të Batalionit Verçë-Sulovë, partizan në luftë të armatosur me fashistët italianë, dhe i angazhuar në shtypin ilegal. Gjatë viteve të luftës u njoh me partizanen Mynever Fico që sapo kishte përfunduar shkollën e mesme. Ajo u bë shoqja e pandarë e jetës së tij, dhe me të krijoi një familje të shëndetshme me tre fëmijë.

Dhimitër S. Shuteriqi bën pjesë midis atyre intelektualëve patriotë shqiptarë, që u vunë në ballë të punës dhe përpjekjeve për krijimin e kulturës dhe sistemit të edukimit shqiptar mbi baza shkencore, por edhe me kufizimet që diktoi regjimi komunist i gjysmës së dytë të shekullit XX.

Shuteriqi është një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, organizatori dhe drejtuesi i shkollës së parë të lartë shqiptare, Institutit të Lartë Pedagogjik, të çelur në vitin 1946.

Në letërsinë shqipe të gjysmës II të shekullit XX, Shuteriqi njihet si një ndër autorët kryesorë. Shtrati kryesor i krijimtarisë së tij ka qenë proza, kryesisht proza e shkurtër e përfaqësuar me gjininë e tregimit, në të cilën, përmes talentit dhe kulturës së tij të gjerë, ka realizuar krijime të shquara të fushës që njohën botime të shumta dhe përhapje të gjerë, duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen e kineastëve shqiptarë për realizime kinematografike ndër më të njohurat si Koncert i vitit 1936, Udha e shkronjaveapo Nëntori i dytë.

Tregimet e Shuteriqit kanë në themel njeriun dhe botën shqiptare, psikologjinë dhe konstitucionin e popullit shqiptar. Krahas subjekteve aktuale, një pjesë e mirë e tyre u referohen ngjarjeve apo personazheve historike, në trajtimin e të cilave ai u shqua si një mjeshtër i gjuhës, i koloritit dhe mjediseve të së kaluarës së largët që prej shek. XV e më tej.

Dhimitër Shuteriqi shquhet gjithashtu edhe për veprën e gjerë dhe të shumanëshme shkencore, e cila shtrihet në fushat e gjuhës, historiografisë letrare, folklorit dhe të trashëgimisë historike në përgjithësi. Kjo vepër madhore ka ndihmuar në ndriçimin e fillimeve të shkrimit të shqipes (sidomos me Shkrimet shqipe 1332-1850 dhe Tekstet shqipe dhe shkrimi shqip 879-1800), në rrënjët e traditave letrare dhe kulturore shqiptare, në njohjen e proceseve dhe figurave të shquara të letërsisë së Mesjetës dhe Rilindjes kombëtare, në zhvillimin e studimeve folklorike etj. Përmes tyre hynë në qarkullim dhe u bënë të njohura për publikun burime të reja letrare, shkrime të hershme pak ose aspak të njohura si dhe koncepte shkencore bashkëkohore. Ishte pikërisht kjo veprimtari, e cila bëri që ai të cilësohej prej bashkëkohësve si “Rilindasi i fundit”.

Një ndër pasionet e tjera krijuese jetësore të Shuteriqit mbetet edhe vizatimi. Trashëgimia e tij në këtë fushë përmban rreth 500 vizatime, kryesisht portrete, të cilat u bënë të njohura për publikun gjatë viteve të fundit të jetës së tij, me hapjen e dy ekspozitave, e para në Galerinë e Arteve të Tiranës, dhe e dyta në Galerinë e Prishtinës. Në të dy rastet vizatimet e Shuteriqit tërhoqën vëmendjen dhe u vlerësuan prej qarqeve artistike për linjat elegante dhe moderne të tyre, mjeshtërinë stilizuese dhe pasurinë e karaktereve, personazhe të njohur të botës artistike dhe shkencore shqiptare, individë të shtresave të ndryshme shoqërore dhe prototipa të spikatur të shqiptarëve.

Në vitet 1954-1973 Dhimitër Shuteriqi ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që prej themelimit më 1972 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, deputet i Kuvendit Popullor në disa legjislatura, për disa vite dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vlerësim të veprimtarisë së tij patriotike dhe kulturore iu akordua titulli “Mësues i Popullit” dhe, krahas të tjerash, dekorimi më i lartë i shtetit shqiptar, “Urdhëri i Flamurit”.

Dhimitër Shuteriqi u nda nga jeta më 21 korrik të vitit 2003.