Vlerësime për Shuteriqin

“Dhimitër Shuteriqi është një nga personalitetet më të mëdha të kulturës sonë të re. Ai, jo vetëm që është një shkrimtar i shquar, veçanërisht një tregimtar nga më të mirët, një romancier, një poet, por është edhe një nga studiuesit e rrallë që kemi ne, një nga studiuesit e parë të letërsisë shqipe.”

Dritëro Agolli

“Proza e shkurtër e Dh. S. Shuteriqit tërheq vëmendjen edhe për veçoritë e stilit, për pasurinë e subjekteve, për psikologjizmin dhe frymën peotike, për gjuhën e pasur dhe strukturën e larmishme të ligjërimit artistik.”        

Jorgo Bulo

“Dhimitër Shuteriqi nuk mund të kthehet në një “zë të vogël” pasi ka kontribut dhe vlera të mëdha. Ai është një figurë që u përket dy kohërave.”

Ismail Kadare

“Mjeshtër i fjalës dhe Diogjen i qytetërimit shqiptar, titan i punës dhe euridit, Mësues i Popullit dhe Akademik, ky është portreti intelektual, atdhetar dhe qytetar i Dhimitër Shuteriqit.”        

Nasho Jorgaqi

“Një historian i ndershëm, i ndërgjegjshëm i letërsisë shqipe, prandaj nuk mund të mos u jetë mirënjohës atyre që e kanë shkruar këtë histori dhe nuk mund të mos thotë, se Dhimitë Shuteriqi ishte një historian shumë i merituar i letërsisë shqipe dhe i shkrimit shqip.

Megjithë dallimet dhe mospajtimet metodologjike dhe ideologjike që kisha me të, unë përkulem para emrit të tij dhe e quaj historian i madh i letërsisë shqipe dhe i shkrimit shqip. Të shkruash historinë e letërsisë shqipe do të thotë pashmangësisht t’i referohesh themeluesit të saj, Dhimitër Shuteriqi.”

Rexhep Qosja

“Në Grënoblën e Stendalit studenti Shuteriq njohu Europën. Më pas në Shqipëri u mundua me të gjitha forcat pa kursyer asgjë, me talentin e tij të çmuar, këmbënguljen proverbiale, të krijonte një Shqipëri të letrave. Mosha e Shuteriqit më tepër se sa ditë ka punë. Ai i është përgjigjur pa mëdyshje apelit naimjan.”
Moikom Zeqo – Një obelisk për Shtetin e Arbërit 

Plot 26 vite më parë, një nga figurat më të njohura të kulturës shqiptare, Dhimitër Shuteriqi, nxirrte nga nëntoka arkeologjike mirditore dy relike të pazakonta të historisë së shtetit të parë të shqiptarëve, i njohur si Shteti i Arbërit. Kjo falë bindjes së tij se mesjeta jonë e hershme, nuk mund të ishte e errët, por dëshmitë e saj ishin humbur e rrënuar nga pushtimet e tjera. Gjetjet që u zbuluan nga prof. Shuteriqi në Gëziq (Ndërfanë) të Mirditës, në kishën katolike të Shën Mërisë, ishin dy: një mbishkrim epigrafik latinisht dhe emblema e shtetit të moçëm të arbërve.

Edhe pse në vitin 1967 revolucioni ynë kulturor, në ngjasim të atij kinez, po i rrëzonte kishat gjithandej, njeriu i shkencës shpejtonte njëlloj si rilindësit të shpëtonte margaritarët e fundit të historisë së mbuluar. Bashkia e Rrëshenit, (që ka marrë shqiponjën njëkrenare të arbërit dhe e ka bërë stemë të vetën) prej njëzet vjetësh nuk e ka bërë qytetar nderi Shuteriqin, por shumë më tepër se kaq.

Teksti i gjatë latinisht i mbishkrimit është përkthyer në shqip nga Injac Zamputi dhe është studiuar nga Dhimitër Shuteriqi, Koço Zhegu etj. 
Gazeta “Shqip” 29 korrik 2003, nga Ndue Dedaj

Libri “Kangë” i Shuteriqit është një manifestim i një kënge vërtet të re.

Gazeta “Vatra” 24 shtator 1946, nga Spartakus (Andrea Varfi)

Nota e Shuteriqit, e re për veshët e shqiptarit, harmonike dhe njëkohësisht e ashpër, e ëmbël dhe burrnore na bën të ndjejmë emocionin artistik po më shumë na bën të mendojmë.

Revista “Bota e re” 15 nëntor nr. 16, 1936, nga Dhimitër Fallo, për librin “Kangë” të Shuteriqit

“Kangë” e Dhimitër SHuteriqit me gjithë ç’mendojnë disa të tjerë, unë vazhdoj të besoj në talentin poetik të Shuteriqit. Teknika e tij është një gjë e re në poezinë e gjersotme shqiptare dhe mbase për këtë çudit. Edhe mendimi i tij është për të vënë re. Kush shkruan, nuk do të mungojë të kthehet më gjërë në poezinë e Shuteriqit.   
Revista “Përpjekja shqiptare” nr. 4, 5, 6 / 1937

Dhimitër Shuteriqi zë menjëherë vend të parë midis të rinjve të brezit të tij. “Kangët e rinisë së parë” janë një “zbulim: në kuptimin e fjalës frëngjisht “revelation” dhe një “zbulim” shumë i kënaqshëm.

“Illyria” 7 dhjetor 1936, nga Vangjo Nervana mbi “Kangët e rinisë së parë”

Na thonë se Dhimitër SHuteriqi qenka një djalë i ri aty në Korçë. Parvjet na dha një tufë vjersha me titullin “Kangët e rinisë së parë”. Tani vonë ka shtypur ndo 20 vjersha me titullin “Kangë?”.

Të mos kesh vënë asnjë pikëpyetje zoti Shuteriqi, të tuat janë këngë, këngë apo ligjërime të fajshme që prekin thellë atë që ndjen …

Vjershë e kulluar e një të riu që premton shumë për neve dhe sidomos në këtë ataraksi shpirtnore të tmerrshme që na ka mbuluar nga çdo anë. Po sulmi me drithë nuk ndalet. Vyrtyti i shpirtit tonë do të shprehet herë me gojën e Lazgushit, herë me të Koliqit, herë me të Nologusit (Anton Logoreci) e herë me të Shuteriqit …

Kështu të ngre edhe Shuteriqi me vjershën e tij kristaline, por të ngrohtë dhe të dashur. Edhe pse s’e njohim afrazi, e përgëzojmë këtë djalë të ri që ka tru në kokë e zjarr në zemër. Ky është padyshim një vlerë për këtë brez.

“Arbënia”, e mërkurë 23 shtator 1936, nga Om (Ismet Toto) mbi “Kangë?”

Na ra në dorë kjo përmbledhje vjershash e të riut liceist Dhimitër S. Shuteriqi.

U fol mjaft për këtë libër në shtypin kombëtar, prandaj e gjejmë të tepërt të bisedojmë që mos përsëritim lavdërimet e merituara. E përgëzojmë këtë poet të ri të cilin një e ardhme glorioze e pret në fushën letrare.

Për të ilustruar këtë reçenzije të vogël po nxjerrim një poezi nga kjo përmbjedhje:

DHUNTI

Po thur, i Zanë e ambël, nji kunorë

dafinash gjithë njomshti dhe t’dashme erë;

ti merre e çoja vashës, qi nji herë

s’më harron zemra, me ktë t’njomën dorë.

Në mos e dashtë, m’i thuëj-o se i kam

thurë

nji tjetër, thurë me zemër, jo me duar.

Kunorë plot madhështi dhe plot shkëlqim

kam thurë, po mbi farë gjaje ajo nuk

mbahet;

as duket e as prekes; copash s’dahet;

për t’bukur nuk ka shoqe n’rruzullim.

Veç zemra n’jetë, i thuëj mund ta

kuptojë;

se plot nji zemër t’gjanë ajo kushtoi.

Revista “Ushëtima”, Organ i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Rumani, viti i parë, maj 1936, nga Janko Peci mbi “Kangët e rinisë së parë” prej Dhimitër S. Shuteriqi